Illyricum Sacrum apo Historia kishtare e Ilirisë, është një vepër madhore enciklopedike e historiografisë botërore, me rëndësi të jashtëzakonshme për trojet shqiptare. Ajo është vepra më e plotë dokumentare e shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë, pasi përfshin dokumente nga një periudhë e gjatë kohore, rreth 20 shekuj, që nga antikiteti deri në fillim të shekullit 19-të.
Illyricum Sacrum është rezultat i punës së gjatë të tre historianëve dhe ndihmësve e kolegëve të tyre: Filip Riçeputi, Daniele Farlati dhe Jakopo Koleti. Mbledhja e të dhënave dhe shkrimi e botimi i kësaj vepre monumentale është bërë në një hark kohor prej rreth 125 vjetësh. Botimi i veprës në 8 vëllime u realizua në periudhën kohore prej vitit 1751 deri në vitin 1819.
Vëllimi i 7, i cili u botua në Venedik në vitin 1817, përbën kontributin historiografik më të rëndësishëm jo vetëm për historinë e Kishës, por edhe të vetë historisë civile të Shqipërisë, qysh prej kohëve apostolike, deri në fund të shekullit 18-të. Në të gjenden burime themelore të panumërta për krahinat kishtare të Ilirisë: të Dioklesë-Tivarit dhe Durrësit me sufraganet e tyre, siç është themelimi i qyteteve, i Arkidioqezave dhe Dioqezave të ndryshme. Aty tregohen biografitë e shumë prelatëve, por edhe ngjarjet kishtare e civile në rend kronologjik. Një vend të veçantë zë figura e Kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe ngjarjet e mëdha të epokës së tij. Kështu, historiografia shqiptare dhe lexuesit kanë në dispozicion për herë të parë në shqip bleun e 7 të kësaj vepre që është një minierë e pashtershme të dhënash historike dhe gjeografike për trojet tona, dhe një thesar i çmuar gjuhësor e kulturor.
Bleu VII i “Illyricum Sacrum” është botuar në shqip në një kolanë me tri vëllime:
- VII/1. Historia e Arkidioqezës së Dioklesë dhe Tivarit; përkthyer nga Antonio Bozza dhe Luket Hasaj.
- VII/2. Historia e 7 dioqezave sufragane të Arkidioqezës së Dioklesë dhe Tivarit: Deja, Drishti, Sarda, Sapa, Pulti i Madh, Pulti i Vogël dhe Shkodra, dhe Historia e Arkidioqezës së Durrësit dhe 14 dioqezave sufragane të saj: Lezha, Amantia, Apollonia, Vlora, Benda, Priska, Stefaniaka, Bylisi, Kunavia, Kruja, Lestroni, Skampa, Pulkeriopoli dhe Akrokeraunia; përkthyer nga Frano Illijaj.
- VII/3. Historia e 5 dioqezave sufragane të Arkidioqezës së Dioklesë dhe Tivarit: Arbëria, Baleci, Budua, Shasi, Ulqini, dhe e dioqezës së Krajës, si dhe një përshkrim i dioqezës së Risanit dhe i disa peshkopatave të lashta: Adrianopoja, Butrinti, Finiqi, Onhezmi, dhe në fund në nderim të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, një letër dhe një fjalim i tij si dhe biografi dhe pjesë të zgjedhura nga autorë të shquar kushtuar atij në shekujt XV-XIX; përkthyer nga Giorgio Nalin dhe Luket Hasaj.








