“Yjet nuk vishen kështu” rrëfen jetën e grave dhe burrave të përhumbur pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe ëndrrat e thërrmuara në trotuaret e Europës nga një e keqe që askush nuk mendonte se e kishte përbrenda.
Një e keqe që shpërthen me dhunën e pafund, me marrëzinë e fitimit përmes rrugëve të lehta, me asgjësimin e çfarëdolloj morali njerëzor, kur shpresat shkatërrohen përfundimisht. Një roman koral, me një fuqi sfilitëse dhe lirike në të njëjtën kohë, që duket se e thith lexuesin që në faqet e para, duke këmbyer, me një ritëm shpesh mbytës, zërin e shpresës e të ëndrrave me klithmat e dhembjes dhe të vdekjes, jo vetëm fizike, por dhe shpirtërore.



