Ahmet Zogu mbetet një ndër figurat më të debatuara të Shqipërisë dhe shqiptari mbi të cilin janë shkruar më shumë libra. Plot 21 të tillë, biografi e libra historiko – politik. Por asnjëherë nuk i ishte bërë një profil i jetës së tij. Gazetari Blendi Fevziu rrëfen për herë të parë me librin e tij të ri, “Ahmet Zogu, Presidenti që u bë mbret”, pjesë të panjohura të jetës së Mbretit të shqiptarëve, si vishej, si shpenzonte, çfarë i pëlqente apo dobësitë e tij.
Për të parën herë në këtë libër, figura e Ahmet Zogut vjen te lexuesi shqiptar jo vetëm si nje President dhe Monark, por edhe si një njeri që perveç aktivitetit të tij politik, kishte edhe një jetë personale. Të dhëna mbi pasionet, dashurinë, dasmën mbrerërorë, fëmijërinë, shkollimin dhe shumë elementë të tjerë të papublikuar më parë.
Në kapitullin hapës, Blendi Fevziu, e fut lexuesin në botën e një dasme mbretërore, me gjithë detajet e saj interesante, edhe në kontekstin politik, siç është historia e këmishës së natës së Mbretëreshës, që kishte shërbyer si provë shtetërore për virgjërinë e Geraldinës, ashtu siç e përcaktonte ligji. Mjaft interesant është edhe sqarimi i Zogut për mbretëreshën mbi këtë detaj.
E pasurur me fotografi të kohës, për të evidentuar veprimtarinë dhe aktivitetin e Mbretit, pena e Fevziut është ndalur edhe në histori të tjera pikante, si ajo e marrëdhënies që mbreti kishte me kërcimtaren më të famshme të Foli Berzhe.
Pas romancës së Zogut dhe Geraldinës, që jetuan të pandarë bashkë për 23 vite, libri sjell momentet kyç të Zogut si politikan, që nga marrëdhëniet e tij me kundërshtarët si Noli, Konica, Hasan Prishtina e Bajram Curri, ikja dhe rikthimi në 1924 apo jeta e tij në Angli, Francë e Egjipt.
Ekskluzivitet në këtë libër janë edhe publikimi i raporteve që Ahmet Zogu zhvilloi ndër vite me ambasadorët britanikë dhe amerikane. Libri i cili i është dedikuar gjërave të “pamundura” të botës, është biografia e një tjetër personazhi, që sa e donin aq edhe e urrenin.



