Mehmet Kraja është shkrimtar i temave të rënda dhe i subjekteve interesante, që gjithmonë shndërrohen në histori të mrekullueshme, madje edhe atëherë kur ato histori nuk kanë përfundim të lumtur. “Liria ime” nuk është shkruar si roman tradicional, por duke bërë një thyerje të fortë të zhanrit dhe, duke shkelur vise të panjohura të imagjinatës, arrin të ndërlidhë përsosmërisht rrëfime të dhembshme nga njerëz të ndryshëm, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin, përveç fatit te keq që i përndjek në palumturinë e tyre.
*
Në pamje të parë nëntë pjesët e romanit duken si rrëfime të fragmentarizuara, që lidhen jo vetëm përmes narratorit, por edhe me absurdin e jetës dhe me gjuhën e rrëfimit, e cila bart shtresime të shumta kuptimore. Romani është ndërtuar si një mozaik historish e personazhesh, të cilët udhëtojnë lehtësisht nëpër të shkuarën e tyre të dhembshme, njësoj sikur i hipin trenit dhe zbresin në secilin stacion që ata duan. Uniteti i brendshëm lidh organikisht rrëfimet që ngjajnë si një tërësi, si dhe personazhet, që edhe pse nuk përsëriten nga njëri rrëfim në tjetrin, duken si të dalë nga e njëjta histori.



